Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se hartimi i ligjit për prokurorinë duhet t’i nënshtrohet një debati të gjerë politik.

Pas thirrjes që zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat, Aldo Bumçi, i drejtoi opozitës për bashkëpunim kryetari i komitetit drejtues kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, deklaroi se si çdo ligj i rëndësishëm edhe ligji i ri për prokurorinë duhet miratuar me konsensus.

Edmond Haxhinasto: “Lëvizja Socialiste për Integrim gjithmonë ka qenë ajo që ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe permanente që gjithë ndryshimet ligjore që zhvillohen në Shqipëri të kenë gjithë përfshirje e të jenë më tërheqjen e të gjithë qëndrimeve të partive politike, pra me një konsensus sa më të gjerë politik. Edhe në rastin konkret sigurisht që kjo është e nevojshme. Të gjithë ndryshimet, qofshin dhe ato për ligjin për prokurorinë duhet të kenë konsensusin e gjerë të të gjithë partive që janë në parlament.”

Ligji i ri për prokurorinë është duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ndërkaq mazhoranca ka hedhur poshtë zërat që e kanë komentuar këtë si një ligj që synon të vërë prokurorinë nën varësinë e ekzekutivit./tvklan.al