Komuna Libofsh në rrethin e Fierit ishte ndalesa e radhës e ministrit të Transporteve Sokol Olldashi. Në takimin me banorë të zonës ai u vuri theksin tek  ndryshimin mes politikave që sipas tij ofrojnë mazhoranca dhe opozita. Olldashi tha se rritja e taksave nga bashkia e Tiranës është modeli  që mishëron kryetari socialist dhe opozita e udhëhequr prej tij.

Sokol Olldashi: “Çfarë ka ofruar kryetari i opozitës deri tani.  Ne ulim taksat për të gjithë qytetarët shqiptar, ai rrit taksat për qytetarët e Tiranës, ne do t’i kërkojmë qytetarëve tanë në bashkinë e Tiranës që urgjentisht të ndërhyjnë dhe të kërkojnë anulimin e të gjitha rritjeve që zoti Rama ka imponuar mbi qytetarët e kryeqytetit. Por keni parasysh që ky është modeli i tij, modeli ynë është ulja e taksave dhe rritja e pagave, modeli i tij është rritja e taksave dhe mbajtja e pagave aty ku janë.”

Më tej ministri i Transporteve u përqendrua tek arritjet e  qeverisë përgjatë katër viteve të mandatit të saj. Sot vijmë para jush tha Olldashi me rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit . Ai u shpreh I bindur në fitoren e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit./tvklan.al