Rreshtimi i Shqipërisë përkrah 27 vendeve të Atlantikut të Veriut u përshëndet nga Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të Komunës së Baldushkut.

Duke u ndalur në përmbushjen e standardeve në luftën kundër krimit të organizuar, numri një i transporteve tha se mazhoranca qeverisëse arriti të mbajë një ndër premtimet të cilat i siguruan asaj fitoren në zgjedhjet e 2005. Më tej ministri i transporteve u ndal tek investimet publike e veçanërisht tek shkollat.

Sokol Olldashi: “Janë 906 shkolla të ndërtuara në 3 vjet, pra me një mesatare 300 në vit që i thonë çdo ditë të punës sonë i kemi dhënë këtij vendi shkollë të re. Kemi 900 e pak ditë në qeveri dhe i kemi dhënë 906 shkolla. Nuk ka qenë punë e lehtë, por nuk ka qenë dhe as e vështirë. Ka dashur vetëm vullnetin për të mos u tallur me parat e qytetarëve, ka dashur që taksat që paguani gjithsecili prej jush të përdoren ndershmërisht dhe të përdoren prapë për ju, të kthehen prapë tek ju, sepse ky është funksioni i shtetit”.

Gjatë takimit me banore të komunës së Baldushkut ministri Olldashi u ndal dhe tek alternativa e kampit rozë për zgjedhjet parlamentare të qershorit duke shigjetoi numrin një të PS-së Edi Rama. Por akuzat e Olldashit në adrese të Ramës u fokusuan dhe në atë që ai e cilësoi abuzim me detyrën në funksionin e kryebashkiakut, i cili sipas numrit një të transporteve ka favorizuar duke i dhënë 30 leje ndërtimi Mihal Delijorgjit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro