Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ish-zëvendës ministri i Rendit Bujar Himçi dhe drejtori i policisë kolonel Veli Myftari kanë lënë sot qelitë e burgut dhe prangat, duke përfunduar vuajtjen e dënimit për tenderin e pasaportave. Himçi dhe Myftari janë transferuar në orët e para të ditës, nga spitali i burgut ku janë trajtuar për shkak të sëmundjeve kronike që mbartin drejt burgut 313, ku ishin caktuar për vuajtjen e dënimit.

Pas rreth 30 minutash, drejtoria e këtij reparti të sigurisë ka përfunduar plotësisht formalitetet për lirimin e tyre. I pari ka dalë nga burgu Bujar Himçi i shoqëruar nga avokati i tij dhe i biri që e pristë jashtë 313. Ndërsa Myftari ka dalë nga territori i burgut, sërisht me një ambulancë, pasi mesa duket vazhdon të mbarti probleme shëndetësoree.

Dy ish-funksionarët e lartë të Ministrisë së Rendit u arrestuan një vit më parë ende në detyrë. Fillimisht të dy u akuzuan për vjedhje, ndërsa shumë shpejt prokuroria ndryshoi akuzën në pabarazi në tendera. Ndërsa në fund të procesit ndaj të pandehurve u shtua dhe akuza shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti.

Ndryshe nga kërkesa e prokurorisë gjykata konsideroi të pandehurit fajtor vetëm në pabarazi në tendera, duke dhënë dënim me 15 muaj burg për Himçin dhe Myftarin. Ndërsa ish-drejtori i prokurimeve në ministri Edmond Alia, u dënua me dy vjet në mungesë dhe menjëherë pas kësaj dorëzohet në Gjermani duke kërkuar azil politik.

Gjykata e Tiranës dha pafajësi për Arben Priftin, drejtori i kontrollit në kryeministri. Dy prokurorët e çështjes menjëherë pas vendimit gjyqësor kanë deklaruar publikisht se do të ankohen në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë që 4 të pandehurit VIP për çështjen e pasaportave janë tashmë të lirë, ndërsa pasaportat e prodhuara nga Bundesdruckerei vazhdojnë të shpërndahen dhe të qarkullojnë si të vlefshme./tvklan.al