Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka shpallur listën provizore të lojtarëve që do të luajnë në Kampionatin Europian për Kombëtaren. Në një konferencë për mediat, trajneri Sylvinho është shprehur se ka qenë e vështirë që të zgjedhin listën prej 27 lojtarësh teksa ka shtuar se është e pamundur që t’i merrnin që të gjithë.  

Pyetje: Sa e vështirë ka qenë të bësh listën?

Sylvinho: Ka qenë shumë të vështirë për ne të zgjidhnim 27 lojtarë. Është e pamundur t’i marrim të gjithë me vete. Nuk besoj që një grup kaq i madh lojtarësh mund të stërvitet mirë. Ka qenë një sforco e madhe, zgjedhjet janë bazuar në studimet, karakteristikat e çdo lojtari dhe të grupit. Finalet e Europianit janë një specifikë krejt tjetër, ku në 10 muaj, Shqipëria luan 8 ndeshje, ndërsa në këtë turne shkojmë për 3 ndeshje për 15 ditë.

Gjatë fjalës së tij, Sylvinho ka thënë se grupi është 100% i qetë dhe i gatshëm për të shkuar përpara në rrugëtimin e Euro 2024.

Pyetje: Ndeshjet e Marsit a ishin njëlloj kurthi, ndërkohë që shohim një tkurrje në listën që keni publikuar. A keni një shqetësim të vogël për ndonjë ndikim të këtyre zgjedhjeve të forta, lënia jashtë e Uzunit, e Cikalleshit, a ju frikëson pak ndonjë prishje humori?

Sylvinho: Kemi bërë zgjedhje për të përballur me sukses një grup të vështirë. Ne patëm 2 miqësore, iu dha mundësia disa lojtarëve. Dera e Kombëtares është gjithmonë e hapur. Në miqësore bëmë disa testime, por sigurisht nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente. Finalet e Europianit janë një specifikë krejt tjetër. Jam i bindur se grupi është 100 % i qetë dhe është i gatshëm për të shkuar përpara në këtë rrugëtim. E kam të pamundur të marr më shumë se 30 lojtarë apo më shumë. Grupi i lojtarëve është në formë të mirë, goxha i qetë.

I pyetur në lidhje me mospërfshirjen në këtë listë të Uzunit dhe Bares, Sylvinho ka thënë se preferon të flasë vetëm për lojtarët që janë pjesë e saj.

Pyetje: Shohim që në listë kemi një debutues Medon Berisha, kandidat. Shohim Amir Abrashin që kthehet. Jashtë liste, Uzuni dhe Bare?

Sylvinho: Sa i përket Berishës dhe Abrashit, preferoj të flas për lojtarët që kam ftuar dhe të mos flasë shumë për ata që nuk janë këtu. Spanja bëri zgjedhjet e veta. Nuk është e lehtë për asnjë nga ne. Abrashi, një lojtar me shumë eksperiencë, është mesfushori i vetëm që ka luajtur në finale, përfaqëson më së miri shpirtin e skuadrës së Kombëtares. Medon Berisha, lojtar i ri, shumë i talentuar dhe me këtë rast, vlerësojmë dhe punën që është bërë nga Kombëtarja U21.

Më tej, Sylvinho ka thënë se mund të ketë disa lojtarë që meritojnë të jenë në këtë listë, por kaq ishte numri i futbollistëve që UEFA kishte caktuar që të përzgjidheshin. Trajneri i Kombëtares ka shtuar se ka besim tek grupi i përzgjedhur prej 27 lojtarësh.

Pyetje: Alent Sheri duhej të ishte i ftuar. A është kjo listë definitive?

Sylvinho: Kemi besim tek ky grup prej 27 lojtarësh, do të doja të kisha 35 lojtarë, ka lojtarë shumë të mirë që e meritojnë, por UEFA ka rregulla që mund të marrësh deri në 26 lojtarë. Kjo është jeta. Kemi studiuar dhe rivalët dhe zgjedhjet janë bërë në bazë të kësaj analize. Mund të ketë 7-8 lojtarë që meritojnë, por kemi vendosur të shkojmë me 27 lojtarë. Jemi i keqardhur që mungojnë disa emra, por kjo është detyra e një trajneri.


/tvklan.al