Ashtu si në të gjithë botën, edhe futbolli rus ka ulur qepenat e stadiumeve të tij. Por pavarësisht kësaj, disa prej ndeshjeve të muajit mars janë zhvilluar dhe në fund ka pasur edhe një fitues.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Zenit Shën Petersburg, Malcom, i cili është shpallur edhe lojtari më i mirë i muajit. Në pamundësi për t’i dërguar në apartamentin ku po kalon fazën e karantinës, klubi e ka surprizuar brazilianin, duke ia dërguar çmimin përmes dronit. Klubi i njohur njoftoi sulmuesin që të hapte dritaren për të futur dronin dhe për t’i dhënë çmimin.

Ish-sulmuesi i Barcelonës ishte deciziv gjatë muajit mars, duke ndihmuar Zenitin në fitoren 7-1 ndaj Ural me një gol dhe një asist. 23-vjeçari u transferua në Rusi në merkaton e verës së shkuar për shifrën e 40 milionë eurove.

Por pavarësisht pritshmërive, Malcom nuk rezultoi blerje e goditur për Zenit, ku karriera e tij është e mbushur me dëmtime të njëpasnjëshme.

Klan Plus