Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Drejtori i Policisë së Tiranës Pjerin Ndreu është takuar me kreun e prokurorisë së rrethit dhe Vexhi Muçmata. Burime të rezervuara kanë deklaruar, se tre vrasjet e bujshme të muajve të fundit, kanë qenë tema e analizës në takim.

Ndërkohë që është biseduar dhe në lidhje me arrestimin e Petrit Lleshit, i dënuar nga gjykata me 13 vjet heqje lirie, për plagosje dhe i deklaruar nga policia e Tiranës i dyshuar si ekzekutor i biznesmenit Florian Vila.

Krerët e policisë janë shprehur se kanë depozituar prova për të ngritur dyshime se Lleshi është i implikuar në vrasje, ndërsa takimi i fundit në Prokurorinë e Tiranës, ka pasur si qëllim koordinimin e punës hetimore. Petrit Lleshi është marrë ndërkohë dhe në një seancë pyetjesh në lidhje me këtë ngjarje.

Ndërsa Ministri i Rendit Luan Rama, i pyetur nga gazetarët në lidhje me arrestimin e Lleshit, ka paralajmëruar të tjera ndalime për çështjen në fjalë.

Luan Rama:- “Mos kini asnjë merak, do të kapen të gjithë”./tvklan.al