Përgjatë mesnatës të së hënës dhe orëve të para të së martës kanë vazhduar vatrat e zjarrit në lartësitë e malit të Gjerë, mbi qytetin e Gjirokastrës. Strukturat e emergjencës, pushtetit vendor dhe vullnetarë kanë qenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo situatë nëse flakët do t’i afroheshin qytetit dhe rrethinave. 

Në mbështetje të zjarrfikësve të Gjirokastrës kanë qenë edhe efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Tepelenës dhe Përmetit. Në operacion janë përfshirë 107 vetë, zjarrfikës, efektivë të ushtrisë dhe vullnetarë.

Të ndarë në grupe, ata janë stacionuar në pikat kyçe për lokalizimin dhe mbajtjen nën kontroll të zjarreve të mundshëm në periferi të qytetit si dhe në rrethinat e fshatrave Mashkullorë dhe Lazarat. Dyshohet që zjarret problematike në pyje-kullota në Malin e Gjerë të jenë të qëllimshme./tvklan.al