Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një nga aleatët tradicional të Partisë Socialiste, Partia Agrare Ambientaliste, mund t’i bashkangjisë tre deputetët e saj, grupimit të ish-kryeministrit Ilir Meta. Kryetari Lufter Xhuveli nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me LSI.

Lufter Xhuveli: “Nuk ka asnjë arsye që në të përjashtojmë bashkëpunimin edhe me partinë e re, pasi të jemi njohur me programin e saj dhe me konstituivin e saj”.

Sipas Xhuvelit, Partia Socialiste rezistoi më gjatë e bashkuar në historinë e pluralizmit politik, por ndarja e saj do të vendosë ekuilibra të rinj në treg.

Lufter Xhuveli: “Së pari është se cila do të jetë influenca e këtij grupi në parlamentin shqiptar, meqenëse ata do të fillojnë në fillim të shtatorit një grup të veçantë. Sigurisht që kjo do të ketë nevojën për të bërë kombinacione të reja politike, në mënyrë që parlamenti shqiptar ta mbaroj mandatin e tij të parashikuar normalisht për katër vjet dhe së dyti patjetër që do të ketë disa implikime të reja për fushatën zgjedhore dhe ashtu siç është deklaruar nga zoti Meta që partia e re që do të krijohet do të konkurrojë në të 100 zonat zgjedhore. Kështu që kjo i prish disa ekuilibra, por ndoshta mund të vendosë ekuilibra të rinj, më të shëndetshëm, për ecurinë e demokracisë shqiptare dhe për vendosjen e bashkëpunimit të partive, mbi bazën e kontratave politike dhe të peshës së tyre reale elektorale”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj