Suksesi ndaj Ukrainës ka rritur “urinë” te kombëtarja shqiptare. Kuqezinjtë rikthehen mbrëmjen e sotme në fushën e lojës në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Mbi 22 mijë tifozë do të mbushin shkallët e impiantit për takimin delikat kundër Gjeorgjisë. Tekniku Sylvinho do të ketë të gatshëm të gjithë futbollistët, duke shtuar qetësinë në radhët e stafit teknik. Lojtarët që luajtën në Pragë ndaj Ukrainës pritet të mos lëvizin, për t’u konfirmuar kështu për takimin e orës 20:45.

Thomas Strakosha tregoi siguri në portë dhe do të jetë sërish në katërkëndësh për të qenë shpresa e neutralizimeve të goditjeve të kundërshtarëve. Para tyre do të rreshtohen sërish Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli. Pas golit me Ukrainën dhe përfshirjes në formacionin më të mirë të ndeshjeve të para, mbrojtësi i Empolit do ketë sërish çelsat e prapavijës kuqezi.

Në krahë do të konfirmohet Mario Mitaj, teksa në të djathtë, Elseid Hysaj mbetet në balotazh me Ivan Balliun, por shkodrani shihet si i favorizuar për të zbritur në fushë nga minuta e parë. Mesi i fushës qëndron pronë e Ylber Ramadanit, Kristjan Asllanit dhe Qazim Laçit. Treshja kanë hipotekuar fanellën e titullarit, duke qenë edhe garanci për lojën e Sylvinhos.

Performanca e mirë ndaj Ukrainës vlen për Rey Manaj. Sulmuesi i Sivaspor ka garantuar vendin në qendër të repartit të avancuar, falë asaj që tregoi të shtunën në Pragë, teksa është edhe një profil që i përshtatet një kundërshtari si Gjeorgjia, tepër fizike dhe me lojë hermetike në mbrojtje. Në ndihmë të Manaj do të veprojë Asani dhe Bajrami, i cili në 77 minuta ndaj ukrainasve u vlerësua me notën 6.6. Përballje që vlen edhe kreun e grupit B1, me kuqezinjtë që kanë 3 pikë aq sa Gjeorgjia, e cila në Tiranë ka mbërritur pas fitores së thellë 4-1 kundër Republikës Çeke. Emocionet e kësaj sfide do të përjetohet ekskluzivisht live në televizionin kombëtar TV Klan.

Klan News