Tatimfitimi pritet të pësojë ulje gjatë vitit të ardhshëm krahas tatimit për biznesin e vogël. Ministri i Financave Arben Malaj deklaroi gjatë një konference për shtyp se përjashton uljen e taksës së TVSH-së për vitin e ardhshëm.

Arben Malaj: “Nga Ministria e Financës nuk vlerësohet se është momenti që vendi të fillojë të aplikojë një TVSH me dy nivele. Diskutim tjetër ka pasur lidhur me aplikimin e TVSH-së në sektorin e ndërtimit i cili vazhdon të jetë pjesë e debatit teknik, ndërsa ne kemi arritur edhe në negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar të shikojmë nivele të reja me tendencë në ulje lidhur me tatimfitimin dhe lidhur me tatimin që paguan biznesi i vogël.”

Sipas ministrit të Financave, gjatë vitit të ardhshëm buxhetor, pritet të nisin dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë si dhe kompensimi i ish-pronarëve. Gjatë buxhetit të vitit 2005 pritet që të programohen edhe shpenzimet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ministri i Financave deklaron se gjatë vitit të ardhshëm do të përdoren pjesë nga taksa prej 4 miliardë lekësh e mbledhur për rrugën Durrës-Kukës.

Arben Malaj: “Ne presim projektin konkret dhe shifrat konkrete që do të propozohen nga Ministria e Transporteve dhe do të shikojmë se cila pjesë e shumës së mbledhur është e mundshme për t’u përdorur gjatë buxhetit 2005-ës.”

Ministria e Financave përllogarit që të humbasë gjatë vitit të ardhshëm afro 950 mln lek të reja, si pasojë e liberalizimit të tregjeve. /tvklan.al