Manastirliu: Mund të përballojmë edhe dozën e tretë

Mbi 2 milion doza të vaksinave të ndryshme anti-Covid janë aktualisht në dispozicion të popullatës shqiptare, por deri në fund të vitit, kjo shifër parashikohet të shkojë në 3 milion. Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë saktësoi se 500,760 doza do të jenë vetëm nga marrëveshjae re me kompaninë Pfizer, ndërsa të tjerat nga marrëveshja që qeveria shqiptare ka me Covax.

“Për këtë furnizim me 500,760 doza vaksine, qeveria ka miratuar edhe kryerjen e pagesës direkte. Nëpërmjet instrumentit të Covax tashmë jemi lajmëruar që në muajin tetor do të kemi edhe 188 mijë doza vaksine që mbërrijnë në Shqipëri. Ndërkohë që priten dhe rreth 370 mijë vaksina të cilat janë gjithashtu planifikuar për të mbërritur brenda këtij viti”.

Kjo sasi vaksinash do të bëjë të mundur që të përdoret edhe për doza të treta nëse Komiteti do të marrë një vendim të tillë.

“Kjo është një kontratë e cila do të na japë mundësinë, për çdo vendim të Komitetit të Vaksinimit dhe Komitetit të Imunizimit në raport me dozat e treta të cilat disa vende i kanë filluar. Kjo na jep një garanci më shumë në disponibilitetin e vaksinave”.

Qeveria shqiptare ka vendosur 36 milionë dollarë në dispozicion për blerjen e vaksinave. Që prej nisjes së procesit deri më tani, 44% e popullatës mbi 18 vjeç ka marrë një dozë të vaksinës dhe 36% dy doza.

Tv Klan