Kampionati që nga shumica konsiderohet si më i forti dhe më i bukuri në botë, do të ngrejë siparin këtë të premte. Manchester United-Fulham, hap sezonin e ri 2024-2025 në Premier League.

Pritet një sezon i bukur, luftuar dhe plot emocione. Spektakli është i garantuar, kjo për shkak se janë disa klube që kanë hedhur kandidaturën për titullin kampion.

Manchester City vjen si kampion në fuqi, ndërsa Arsenali kërkon të rivalizojë për të marrë trofeun, pasi ka dështuar në dy sezonet e fundit.

Nuk duhet harruar edhe Liverpool, që në këtë sezon vjen me trajner të ri, por me ndryshime të pakta në organikë. Manchester United kërkon të surprizojë, kjo edhe për shkak të afrimeve të shumta që ka bërë në këtë merkato.

Nuk duhet harruar Chelsea, që pavarësisht se në vitet e fundit ka pasur shumë probleme, qëndron sërish mes pretendentëve.

Premier League nis këtë të premte të 16 gushtit dhe mbyllet më 25 maj të vitit 2025. /tvklan.al