Këshilli i Legjislacionit pranë Kuvendit u mblodh sot jashtë sesionit parlamentar për të shqyrtuar çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në mbledhjen që nisi në orën 11:00 e përfundoi një orë më vonë deputetët morën vendimin që në seancën parlamentare që do të zhvillohet më 12 Shtator, të jetë pjesë e rendit shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën.

“Në seancën e datës 12 Shtator 2024 u vendos që do të jetë pjesë e rendit të ditës edhe shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mbledhja konsiderohet e mbyllur dhe uroj si ky diell i 2024 të jenë edhe diej të tjerë për mazhorancën”, tha kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, Dhurata Çupi.

Gjatë mbledhjes pati dakordësi mes deputetëve në lidhje me raportin që do dalë nga Këshilli.

“Që të bësh të flasësh si ithtar i mbrojtjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ta vonosh zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke bërë këtë diskurs politik për 1 orë këtu do të thojë që je duke bërë xhonglerin politik. Ne nuk kemi nevojë ta rikomentojmë me raporte. E çojmë në seancë dhe e mbarojmë. E kuptoj shumë që ju doni të bëni si mendja pas Gjykatës Kushtetuese, por nuk e nderoni Gjykatën Kushtetuese në këtë gjë. Na lini të zbatojmë vendimin, ta çojmë në seancë dhe ta zbatojmë vendimin”, tha Toni Gogu.

“Ne jemi zënë tek ky Këshill Legjislacioni apo jo? Ne e kërkuam atë ekspertin apo jo? Ne kërkuam ta çojmë në seancë ju e refuzuat. Ne kemi kuptuar që o kanë qenë shezllonet e shtrenjta atje ose ju kanë anulluar prenotimet dhe keni ardhur me këtë mendje. Një copë letër duhet çuar tek kryetarja e kuvendit. Shyqyr që arriti kjo ditë që të çoni një copë letër tek kryetarja e Kuvendit. Shyqyr që 10 juristë nuk kanë nevojë nga jashtë tju shpjegojnë si bëhet rakia”, tha Saimir Korreshi.

“Gogu e sqaroi shumë qartë. Duhet të dalim me një raport. Po themi që nuk kemi çfarë arsyetojmë. Kryetares i propozohet t’i dërgohet projektvendimi në seancën më të afërt”, tha Klotilda Bushka.

Çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të statusit të investitorit që ka bashkëshorti i saj.

Vetë socialistët kanë vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, siç e cilëson ajo, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Nga ana e saj Gjykata Kushtetuese me vendimin marrë më 10 Korrik 2024 është shprehur se Kuvendi është i detyruar t’ia dërgojë për shqyrtim çështjen e mandatit të Xhaçkës./tvklan.al