Në seancën plenare të datës 12 Shtator ligjvënësit do të votojnë për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1 të 10-ës së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Ky është rekomandimi që Këshilli i Legjislacionit do t’i dërgojë Kryetares së Kuvendit.

“Në seancën e datës 12 Shtator 2024 u vendos që do të jetë pjesë e rendit të ditës edhe shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Dhurata Çupi.

Edhe pse dakord në parim për përfshirën në atë seancë të votimit të kësaj çështje, demokratët dhe socialistët nuk i shmangën debatet dhe ranë dakord t’i drejtohen kryeparlamentares me dy dokumente, të hartuara nga secila palë.

Në raportin që opozita kishte përgatitur i kërkohej kryeparlamentares që t’i informojë deputetët që kanë detyrimin që të votojnë vetëm pro dërgimit në Kushtetuese.

“Ky Këshill në fakt duhet t’i propozojë kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë projektvendim në rendin e ditës së seancës më të afërt”, tha Klotilda Bushka.

“Uroj shumë që reflektimi juaj edhe brenda për brenda kësaj seance të jetë një reflektim që do të shtrihet në punimet e gjithë këtij sesioni”, tha Bardhi.

Demokratët prej 2 vitesh kërkojnë heqjen e mandatit të deputetit për socialisten Xhaçka pasi sipas tyre ajo është në kushtet e papajtueshmërisë me përcaktimin kushtetues për mandatin e deputetes, pasi bashkëshorti i saj si investitor strategjik ka përfituara para publike.

Tv Klan