Java e pestë e Kategorisë Superiore dhuroi 14 gola. Egnatia mposhti Bylisin në shtëpi me rezultatin 4-0, ndërsa Vllaznia theu Teutën në transfertë me rezultatin 2-1.

Rrogozhinasit janë skuadra me sulmin më të mirë, me 10 rrjeta të realizuara, kurse durrsakët me prapavijën më të dobët, me 10 gola të pësuar.

Si asnjë skuadër tjetër, Tirana ka pesë barazime pas 5 ndeshjeve të luajtura. Bardheblutë e mbyllën sfidën kundër Elbasanit në “Air Albania” me rezultatin 1-1.

Trajneri Ilir Daja mori tri pikët e para në stolin e Dinamos. “Blutë” mposhtën Skënderbeun me rezultatin 2-1.

Edhe Partizani barazoi me Laçin në transfertë me rezultatin 1-1. Kurbinasit janë ekipi me ofensivën më të dobët me vetëm dy gola të shënuar e me mbrojtjen më efikase, bashkë me Elbasanin, me ekipet që janë ndëshkuar vetëm 4 herë.

Në krye të renditjes janë Egnatia dhe Vllaznia me nga 10 pikë. Ndjekin Elbasani dhe Partizani me 2 pikë më pak. Dinamo është në vend të pestë me 7 pikë, e pas ‘bluve’, Teuta me 6. Tirana dhe Bylis kanë nga 5 pikë.

Skënderbeu pozicionohet në vend të parafundit me 4 pikë, dhe renditjen e mbyll Laçi me 3.

Klan News