Disa ditë pasi Gjyakta e Tiranës shpalli vendimin për ndëshkimin e botuesit të gazetës “Koha Jonë” Nikollë Lesi ëshë tërhequr nga apelimi i kësaj çështjeje një nga paditësit. Ylli Manjani ish-sekretari i përgjithshëm i kryeministrit konfirmohet të ketë tërhequr padinë e dorëzuar pak kohë më parë, ku përveç tij, qenë edhe kryeministri Fatos Nano dhe drejtori i kabinetit Agim Isaku. I pyetur për motivet e tërheqjes nga padia, Manjani ka thënë se e ka parë të arsyeshëm një veprim të tillë pas politizimit të skajshëm të kësaj çështjeje.Tre zyrtarët e paditën botuesin Lesi për artikullin, ku pretendohej se kryeministri kishte favorizuar një nga bankat pjesëmarrëse në tenderin për shitjen e Bankës së Kursimeve, ndërsa po në këtë artikull u botua edhe një dokument sipas të cilit Nano kishte shpërblyer veten dhe bashkëpuntorët e tij me nga 5 rroga. Disa ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë vendosi ndëshkimin e Lesit me 2 milionë lek për akuzën e shpifjes, por pas përfundimit të këtij procesi zoti Manjani është tërhequr nga padia. Ndërkohë, mësohet se një ditë më parë, ish-sekretari i përgjithshëm Ylli Manjani ka dhënë dorëheqjen edhe nga detyra që sapo kishte marrë, ajo e këshilltarit të kryeministrit. /tvklan.al