260 mijë pushues të huaj dhe vendas kanë zgjedhur këtë vit si destinacion Sarandën. Bukuritë e bregdetit jonian kanë bërë për vete mjaft të huaj. Maqedonasit janë edhe kontingjenti më i madh u pushuesve që kanë zgjedhur këtë bregdet për t’u relaksuar në verën e nxehtë.

Pushuesit e ardhur nga Maqedonia shprehen të kënaqur me turizmin tonë, ndaj dhe premtojnë se do të rikthehen sërish.

“Unë vij për herë të parë në Sarandë dhe po na pëlqen shumë si vend turistik. Për Sarandën kemi dëgjuar nga miqtë tanë që e kishin vizituar më parë ndaj edhe erdhëm këtu. Tani që po e shoh  më pëlqen, ndaj do ta vizitoj sërish.”

“Kam vizituar disa vende si Greqia, Spanja, Mali i Zi, këtë viti vendosëm me familjen tonë të vizitojmë Sarandën. Na pëlqen jashtë mase megjithëse mendojmë se duhet të bëjë akoma më shumë përsa i përket turizmit. Gjatë qëndrimit këtu kemi vizituar gjithë zonën bregdetare dhe na pëlqeu shumë.”

“Bregdeti i Sarandës është i mrekullueshëm, uji është i pastër, hoteli dhe shërbimi shumë i mirë. Edhe një vit më parë kam qenë në Sarandë edhe vitin që vjen do të pushoj sërish këtu.”

Në ditët e tyre të qëndrimit në Sarandë  ndonjë pushues ka mësuar edhe pak shqip.

Turistët maqedonas janë akomoduar kryesisht në  hotelet buzë bregdetit. Sipas pronarit dhe menaxherit të disa hoteleve ku ata po qëndrojnë, deri më tani në Sarandë kanë ardhur 1500 pushues maqedonas. Ai shpjegon se ardhja e tyre në këtë qytet është falë promocionit në mediat maqedonase.

Nagip Jonuzi: “Ishin një vizitë të agjencive turistike të Maqedonisë në Sarandë, bënë një seri kontratash me hotelet që i panë, për publicitetin në Maqedoni nëpërmjet reportazheve, emisioneve publicitare për Sarandën. Po ja ku i kemi edhe rezultatet e tyre janë po këto pushues që kanë ardhur në Sarandë.”

Promocionet dhe lidhjet me agjencitë maqedonase për të reklamuar bukuritë e Sarandës, janë realizuar nëpërmjet kryetarit të bashkisë.

Edmond Gjoka: “Kompanitë turistike që kanë ardhur në qytetin e Sarandës, ata duke i parë në vend le të themi qytetin e Sarandës, por duke marrë dhe promocionet që ne kemi ofruar atyre. Kemi bërë shumë takime dhe që mund të themi që në muajin prill-maj ata kanë ardhur kanë gjet dhe çeljen e sezonit turistik dhe sigurisht ata kanë bërë nëpërmjet kësaj kënaqësie dhe relaksi që kanë gjetur në qytetin e Sarandës ata kanë rikthyer grupe të ndryshme turistike që i menaxhon nëpërmjet këtyre agjencive turistike në Sarandë.”

E ndërsa ditët e nxehta të diellit pritet të vazhdojnë deri në mes të shtatorit, Saranda mendohet të vizitohet nga të tjerë turistë që ikin prej andej me përshtypjen e mirë për tu rikthyer sërish./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami