Për herë të parë në Shqipëri maratona e këngës popullore qytetare nuk ndiqet vetëm nga publiku vendas, por në masë edhe nga shtetas të huaj.

Në qytetin turistik të Sarandës, ku numri në rritje i turistëve këtë vit dallonte më shumë se çdo gjë tjetër, publiku entuziast shoqëroi për rreth tre orë në shesh evenimentin e sjellë nga Televizioni Kombëtar Klan dhe grupi promotor.

Për të përshëndetur në koncertin e Sarandës ishte një këngëtare që me zërin e saj dhe polifoninë labe e ka çuar muzikën shqiptare dhe në skenat botërore, Irini Qirjako.

Irini Qirjako: “Dua t’i uroj Klanit për këtë nismë të shkëlqyer që ka bërë. Është një mësim për të gjitha televizionet shqiptare ku ta dinë që kënga popullore shqiptare është e përjetshme, është e pavdekshme.”

Edhe për banorët e Sarandës maratona e këngës popullore qytetare duhet të kthehet në traditë.

“Mua më duket një gjë e mrekullueshme që ruan dhe traditën dhe muzikën shqiptare në mënyrë të shkëlqyer. Preferoj gjithmonë që kjo traditë të vazhdojë dhe të jetë si të thuash në interes të kombit dhe të njerëzve”.

“Shumë mirë, shumë bukur deri tani”.

“Më ka pëlqyer shumë, e kam ndjekur gjithmonë. Jam shumë e kënaqur që kjo maratonë vendosi që të ngrihej në Sarandë. Më pëlqen shumë”.

Shkëlqim Hajno: “Dëshira mesa konstatoj e publikut, dëshira e bashkisë është që ky aktivitet të përfshihet në kalendarin e përhershëm të veprimtarive kulturore artistike në aksionet kulturore të vitit”.

Ndërsa për turistët që këtë verë kanë zbarkuar në Sarandë edhe nga shtetet më të largëta koncerti dhe muzika që ofron edhe pse e panjohur për ta janë një surprizë e bukur.

“Jemi nga Danimarka. Na pëlqen shumë koncerti dhe duket shumë bukur edhe pse sa dëgjuam këngën e parë”.

“Është muzikë e mirë për të kërcyer”.

“Jemi nga Maqedonia, nga Shkupi. Mendojmë se koncerti është shumë i mirë. Ne nuk kuptojmë mirë shqip, por muzika është e mirë.”

“Ne jemi nga Holanda. Ndodhemi këtu prej pesë minutash dhe dëgjuam dy këngë shumë të bukura. Mendoj një përzierje e muzikës tradicionale dhe moderne dhe kjo më pëlqen”.

“Ne nuk e dinim që mbahej ky koncert. Është një surprizë e bukur”.

“Jemi nga Anglia dhe kemi ardhur këtu për pushime tre ditë. Nuk e dimë për çfarë mbahet koncerti. Duhet të jetë një aktivitet veror.”

“Muzika është shumë e mirë. Ne po kënaqemi. Është shumë ritmike”.

Për dy prezantuesit e këndshëm, Anjeza Maja dhe Drini Zeqo, eksperienca shëtitëse e maratonës është e vyer. Largimi nga studio dhe kontakti i drejtpërdrejt me publikun.

Drini Zeqo: “Është padyshim një nga eksperiencat më të këndshme të këtyre viteve të fundit për mua të paktën. Është shumë e këndshme sepse e para që është një eksperiencë verore, e dyta që mbetet brenda TV Klan dhe e treta që më bën të dal le të themi disi nga e përditshmja dhe nga rutina që në vetvete të sjell edhe lajmin, ndonëse përditë është i ndryshëm.”

Anjeza Maja: “Jemi vërtet shumë mirë këtu. Gjithmonë sa herë në çdo qytet që kemi shkuar është krijuar një atmosferë festive dhe kjo është më e rëndësishme që kemi festuar së bashku me publikun një eksperiencë që nuk harrohet kurrë dhe besoj që përsëritet së shpejti”.

Për realizimin e maratonës së këngës popullore qytetare në Sarandë përveç mbështetjes së fuqishme të Ministrisë së Kulturës dhe kompanisë së telefonisë celulare, Vodafone, po kujdeset edhe bashkia e qytetit.

Edmond Gjoka: “Koncerti që ju dhatë ishte do të thosha i mrekullueshëm, ishte le të themi një pasuri kombëtare. Ju falënderoj juve organizatorët që e sollët këtë koncert dhe e ideuat. Dhe unë bisedova me organizatorët që në qoftë se ka mundësi dhe besoj se do të ketë mundësi, kur ka dëshirë realizohen objektivat, do të thosha që të bëjmë një festival të këngës qytetare, të bëhet në qytetin e Sarandës. Ajo do bëhet traditë këtu dhe të filloj dhe si kombëtar dhe pse jo ajo më vonë të bëhet ndërkombëtar”.

I gjithë ky event muzikor nuk mund të vinte pa përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit jo vetëm atij teknik të TV Klan, por edhe të ESP Studio dhe Fast Service.

Në mes të muajit Gusht maratona e këngës popullore qytetare do të jetë në qytetin e Lezhës për të prezantuar edhe atje hitet e verës./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini