Ekonomia, emigracioni, kujdesi shëndetësor dhe politika e jashtme ishin temat kryesore që dominuan debatin e parë dhe ndoshta të vetëm mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump. Përballja që nisi me një shtrëngim duarsh mes dy kundërshtarëve, u fokusua shpejt në debatin për ekonominë, teksa Harris kritikoi synimin e Trump për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja, ndërsa ky i fundit vuri theksin tek rritja e inflacionit gjatë presidencës Biden.

“Donald Trump na la papunësinë më të keqe që nga Depresioni i Madh. Donald Trump na la epideminë më të keqe të shëndetit publik në një shekull”, tha Harris.

“Shikoni, ne kemi pasur një ekonomi të tmerrshme. Ne kemi inflacion siç shumë pak njerëz e kanë parë ndonjëherë më parë, ndoshta më i keqi në historinë e kombit tonë”, u kundërpërgjigj Trump.

Kandidatët shkëmbyen kritika për luftën mes Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës.

“Lufta në Gaza duhet të marrë fund menjëherë. Dhe mënyra se si do të përfundojë është se ne kemi nevojë për një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin sa më parë të pengjeve”, u shpreh Harris.

“Ajo e urren Izraelin. Ajo as që do të takohet me Netanyahun. Kur ai shkoi në Kongres për të mbajtur një fjalim shumë të rëndësishëm, ajo refuzoi të ishte atje sepse ishte në një festë në shoqëri”, tha Trump.

Një pjesë të mirë të debatit për politikën e jashtme e zuriagresioni rus në Ukrainë, megjithëse asnjëri nga kandidatët nuk ofroi plane specifike për zgjidhjen e këtij konflikt.

“Nëse Donald Trump do të ishte president, Putini do të ishte ulur në Kiev tani. Dhe pse nuk u tregoni 800,000 polakëve amerikanë këtu në Pensilvani se sa shpejt do të hiqnit dorë për hir të favorit dhe çfarë mendoni se është një miqësi me atë që njihet si një diktator që do t’ju ftonte për drekë”, tha Harris.

“Unë dua që lufta të ndalet, dua që të shpëtojë jetë. Unë e njoh shumë mirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, edhe presidentin rus Vladimir Putin”, u shpreh Trump.

Një pjesë të mirë të debatit e zunë çështjet e brendshme siç është emigracioni dhe aborti. Kandidatja demokrate akuzoi Trump se me ndalimin e abortit po i hiqte të drejtën njerëzve që janë viktima të krimit që të vendosnin vet për trupin e tyre, ndërsa kandidati republikan theksoi se nën administratën Biden në Amerikë po hyjnë të burgosur dhe të çmendur që po zënë vendet e punës së amerikanëve.  

“Trump ndalon abortin që nuk bën përjashtim as për përdhunimin dhe incestin, të cilat – kuptoni se çfarë do të thotë – një i mbijetuar i një krimi, një shkelje ndaj trupit të tij, nuk ka të drejtë të marrë një vendim se çfarë do të ndodhë me trupin e tij më pas. Kjo është e pamoralshme”, tha Harris.

“Ne kemi miliona njerëz që derdhen në vendin tonë nga burgjet, nga institucionet mendore dhe azilet e të çmendurve. Dhe ata po vijnë dhe po marrin punë që tani janë të zëna nga afro-amerikanët dhe hispanikët”,  u kundërpërgjigj Trump.

Trump, i cili ka kaluar javë të tëra duke bërë sulme personale ndaj Harris, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u bë gjithnjë e më i agresiv nga kritikat e Harris, teksa kjo e fundit e akuzoi se kërkon të përçajë amerikanët me akuza raciste. Sondazhet konstatuan se fituese e debatit ishte Harris, por Trump tha më pas se ajo “humbi shumë keq” dhe se ky kishte qenë debati më i mirë i tij.

Tv Klan