Popullsia e Shqipërisë do të vijojë të tkurret edhe në vitet e ardhshme. Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara thekson se Shqipëria është mes 64 vendeve ku popullsia do të pakësohet deri në 2054.

Vendi ynë parashikohet të ketë një rënie me 14 përqind duke u renditur në 5 vendet që do të kenë tkurrjen më të madhe të numrit të popullsisë në gjithë botën.

Shkak për këtë rënie, është sepse vendi ynë bën pjesë tek më shumë se gjysma e të gjitha vendeve që kanë fertilitet nën nivelin e 2.1 lindje të gjalla për grua, si dhe nivel të lartë të emigrimit. Për këtë të fundit Shqipëria renditet mes vendeve si Armenia dhe Xhamajka ku gratë në moshë riprodhuese kanë pësuar emigrim të lartë.

Rënia e popullsisë u reflektua edhe në të dhënat e fundit të Censit 2023, ku popullsia e Shqipërisë ka zbritur në 2.4 milionë banorë, 17 % me pak krahasuar me vitin 2011.

Ndërsa deri në vitin 2054 popullsia e Shqipërisë do të bjerë me afro 330 mijë duke bërë që Shqipëria të ketë 2 milionë banorë.

Raporti i OKB ndalet edhe tek vendet që do të pësojnë rritjen më të madhe të popullsisë.

Në 48 vende dhe zona ku popullsia parashikohet të arrijë kulmin midis 2025 dhe 2054, përfshihen shtete si Brazili, Irani, Turqia dhe Vietnami ku parashikohet një rritje me afro 5.3 përqind në të ardhmen.

Ndërsa në 126 vendet dhe zonat e mbetura, popullsia ka të ngjarë të vazhdojë të rritet, duke arritur një kulm pas vitit 2100.

Ky grup përfshin disa nga vendet më të populluara në botë: Indinë, Indonezinë, Nigeri, Pakistanin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Numri i njerëzve që jetojnë në këto vende parashikohet të rritet me 38 përqind në 2054.

Tv Klan