Lajme Arkiva 2003

Mbërrijnë në Tiranë dy shokët e Altin Arapit. Dy të rinjtë u ndaluan në Belgjikë në momentin e arrestimit të Altin Arapit të akuzuar si vrasësit e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm, Genci Sina. Në orën 19:40 të mbrëmjes ka zbritur në aeroportin Nënë Tereza avioni i linjës ajrore Albania Airlines i nisur nga Bolonja.

Ata janë shoqëruar nga Brukseli për në Tiranë nga policia belge për t’ju dorëzuar autoriteteve shqiptare. Të pranishëm ishin drejtoi i Policisë Kriminale të Republikës Sokol Bizhga dhe drejtori i policisë së Tiranës Pjerin Ndreu.

Për ta është përdorur procedura e depërtimit, duke i shpallur persona të padëshirueshëm, pasi me emrat që janë prezantuar nuk figuronin të ishin persona në kërkim as në Shqipëri dhe as në kërkim ndërkombëtar nga interpoli.

Ndërsa për Altin Arapin i arrestuar në momentin e ndalimit të dy të sapoardhurve Ministria e Drejtësisë dhe prokuroria e përgjithshme ka filluar procedurat e ekstradimit pasi për të ka dy fletë arresti. I pari për vrasjen e shoferit të kryeprokurorit në 29 shtator të këtij viti dhe së dyti si pjesëmarrës në organizatën kriminale “Hakmarrja për drejtësi”.

Dy të kthyerit nga Belgjika janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për tu verifikuar. Nëse kanë probleme me ligjin shqiptar ndaj tyre do të fillojë procedimi penal, por në rast se emrat e tyre nuk janë të implikuar  në ndonjë ngjarje kriminale burime zyrtare të Ministrisë së Rendit thonë se shokët e Altin Arapit do të lihen të lirë./tvklan.al