Mbi 1.8 milionë turistë të huaj kanë hyrë në territorin e Shqipërisë gjatë muajit Korrik të këtij viti. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i vizitorëve të huaj është ngadalësuar, pasi është rritur me rreth 47 mijë shtetas në Korrik, ose  2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, që ishin mbi 1.7 milionë.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Korrik 2024, ky tregues ka shënuar një rritje me 3,7 %, krahasuar me Korrik 2023. Ndërkohë që rritje të ndjeshme në muajin Korrik kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 50,9 %.

Gjatë muajit Korrik , 95 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Përkatësisht, Europa Jugore zë 71 % të hyrjeve të shtetasve të huaj, ndjekur nga Evropa Qendrore/Lindore me nga 10 %.

Ndërkohë që gjatë muajve Janar-Korrik numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë është mbi 6.3 milionë, duke pësuar një rritje me 23.2%  krahasim me periudhën 7-mujore të viti të shkuar që ishin 5.1 milionë vizitorë të huaj. Edhe dalja e shtetasve shqiptarë jashtë vendit gjatë korrikut, ka pësuar një rritje të lehtë, pasi sipas të dhënave të INSTAT në muajin Korrik 2024, mbi 704 mijë shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë jashtë, duke shënuar rritje me vetëm 1,7 %, krahasuar me Korrik 2023.

Klan News