Prezantimi i vendeve të reja të punës, projektet apo dhe shërbimet që ofron Administrata Publike ishin në fokus të hapjes së panairit të “Javës së Administratës Publike”. Sipas ministres Adea Pirdeni, fuqizimi i sektorit të burimeve njerëzore luan një rol të rëndësishëm në shumë drejtime të Administratës Publike.

Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike: Ne mendojmë se që tani e në vijim duhet të ketë një qasje të përforcuar dhe me fokus të veçantë te fuqizimi i sektorit të burimeve njerëzore si promotori i ndryshimit në mënyrën se si ne sillemi me punonjësit, kolegët, se si ne shikojmë kulturën e punës dhe mbi të gjitha se si e shikojmë mjedisin tonë të përditshëm në punë.

Ndërsa Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës nënvizoi se vendi ynë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe sa i përket reformimit të kësaj administrate.

Giulia Re, shefja e Zyrës së Këshillit të Europës: Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për të rritur efektivitetin dhe transparencën e Administratës Publike dhe Këshilli i Evropës ka qenë dhe do vijojë të jetë një partner i qëndrueshëm në këto reforma duke ofruar ekspertizë, rekomandime dhe mbështetje.

Janë mbi 1,100 pozicione vakante pune në profile të ndryshme sipas Drejtoreshës së Administratës Publike.

Enkela Dudushi, drejtore e DAP: Një numër 1183 pozicione pune nga të cilat deri në këtë moment janë shpallur rreth 530 pozicione pune. Me profile nga më të ndryshmet nga të gjitha fakultetet, edhe juristë ka shumë, edhe inxhinierë kemi sidomos inxhinier elektronikë, inxhinier ndërtimi, inxhinierët e mjedisit në rastin e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, gjeologët.

Panairi i “Javës së Administratës Publike” do të jetë i hapur për të gjithë të interesuarit deri më 31 Maj pranë Sheshit “Italia” në Tiranë.

Klan News