Partia Republikane do të marrë iniciativën për të bërë mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Fatos Nano. Në mbledhjen e asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo vlerëson këtë mocion edhe për të verifikuar deputetët e shitur të opozitës.

Sabri Godo: “Është e vërtetë që nuk mund t’u besohet të gjithë deputetëve të djathtë në parlament. Kjo është një fatkeqësi, por kështu është. Ka ndonjë që është shitur herë tjetër, por më duket se ka ardhur momenti që me këta të ndahen esapet dhe të vihen në provë. Në qoftë se do të ketë sërish nga ata që do të sëmuren, do të aksidentohen, do të mbeten gjëkundi në ndonjë klub a do të shkojnë jashtë në mënyrë urgjente për kurim që të mënjanojnë votimin, po ta bëjnë për së dyti ata që e bënë për herë të parë ose mund të shtiret edhe ndonjë tjetër, atëherë është e qartë se këta nuk janë më deputetë që i përkasin opozitës dhe ndahet esapi me ta.”

Ndërsa kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu cilësoi si të domsodshme që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare opozita të jetë e bashkuar.

Fatmir Mediu: “Çdo marrëveshje e fshehtë që po përgatitet apo diskutohet për të ndëshkuar Partinë Republikane në këto zgjedhje duke i hequr asaj të drejtën e komisionerëve, do të ishte ndëshkim për të djathtën. Duket qartë që pazaret të fshehta e të hapura të disa individëve ose të forcave politike në opozitë të paqena synojnë që, mbas balancimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të garantojnë kontrollin e komisionit të qendrave të votimit e komisionit të zonave nga ana e Partisë Socialiste. Partia Republikane është e bindur se bashkimi i opozitës është i domosdoshëm, por ky bashkëpunim duhet të synojë në ndërtimin e koalicioneve reale.”

Godo kërkoi që të thirret për interpelancë në parlament ministri i Jashtëm Kastriot Islami që të shpjegojë institucionalisht deklaratat e Presidentit grek Stephanopoulos për çështjen çame dhe Vorio-Epirit. /tvklan.al