Lajme Arkiva 2003

Me kërkesë të opozitës prokuroria nis verifikimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas kallëzimit penal që kandidati i opozitës Spartak Ngjela për Bashkinë e Tiranës i ka bërë kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe ish njësive bashkiake për shpërdorimin e detyrës dhe mohim të drejtave të qytetarëve për të votuar, është prokuroria ajo që do të hetojë mbi këtë padi. Veprimin e saj e ka përshëndetur edhe Ngjela duke shpresuar se do të dalë në pah masakra zgjedhore.

Spartak Ngjela: Prokuroria nuk vërteton akuzën, prokuroria akuzën e çon në gjyq, por mbledh faktet për tu bindur rreth fajësisë së personave të cilët unë i kam akuzuar për 2 krimet që thash. Sot kam marrë hapin e parë, i cili është pozitiv në funksion të shtetit, sepse ka vendosur sekuestron në të gjithë atë varg listash.

Ilirjan Celibashi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar jo vetëm institucionalisht, por edhe individë të cilët janë pjesë e stafit, ose e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të detyruara të përmbushin çdo kërkesë të organeve të prokurorisë dhe ne jemi të gatshëm pa diskutim.

Kandidati Ngjela ngre pretendimin se ka ndryshime të mëdha mes listave paraprake dhe atyre mbi të cilat u votua, ndërsa Komisioni Zgjedhor i Qeverisjes Vendore përgatitet të dorëzojë kutitë së bashku me procesverbalet mëngjesin e së enjtes. Deri më tani janë shqyrtuar 314 kuti votimi ku 56 prej tyre janë cilësuar të vlefshme./tvklan.al