Karabinierët në Bereguardo të Pavias, në Itali, vunë në pranga një grua 42-vjeçare shqiptare, për tentativë të dyfishtë vrasjeje të fqinjeve të saj. Ngjarja, sipas mediave italiane, ndodhi rreth orës 18:30 të së mërkurës.

Gjithçka nisi kur, për shkaqe momentalisht të paqarta, shqiptarja, e cila jetonte prej pak kohësh në Itali, shkoi në shtëpinë e fqinjes 90-vjeçare, një kat më poshtë, e cila në atë moment ishte me të bijën 62-vjeçare, që i kishte shkuar për vizitë.

Pak kohë pasi i trokiti në derë, 42-vjeçarja nxori një thikë të madhe kuzhine dhe i goditi nënë e bijë disa herë në trup.

Me thikën në dorë, shqiptarja u fsheh më pas në oborrin e ndërtesës. Ajo u arrestua nga karabinierët pak kohë më pas. Nënë e bijë u dërguan në spital për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën.

Edhe shqiptarja mësohet se është transferuar në spital, në atë psikiatrik, ku po bëhen vlerësime për shëndetin e saj mendor. Hetimet për plagosjen e dyfishtë vijojnë./tvklan.al