Mario Mitaj është futbollisti i radhës kuqezi që ndryshon skuadër në këtë merkato vere. Mbrojtësi u prezantua te Al Ittihad në Superligën e Arabisë Saudite, për t’u kurorëzuar në një “sheik” me të drejta të plota. Një marrëveshje me këto të fundit ka bindur Lokomotivën e Moskës për të lejuar 21-vjeçarin që të kalojë në formulën e huazimit në kampionatin arab.

Skuadra që në përbërje ka emra si Karim Benzema dhe N’Golo Kante do paguajë 1.2 milionë euro në arkat e rusëve, me të drejtë blerje prej 5 milionë eurosh. Për kartonin e Mitaj kishte interes edhe nga skuadrat italiane si Lazio, Bolonja dhe Juventus pas kampionatit Europian, por ishin arabët ata që u bindën për ta bërë të tyrin. 

Edhe Marvin Çuni me valixhe në duar. 23-vjeçari pritet të bashkohet me Rubin Kazanin për të formuar dyshen e sulmit me Mirlind Dakun. Frosinone që ka në zotërim kartonin e lojtarit kuqezi ka përparuar në bisedime me Rubinin, me Çunin që kërkon minuta dhe eksperiencë të një niveli më të lartë se Seria B. Në sezonin aktual, futbollisti i grumbulluar më parë me kombëtaren e madhe ka gjetur golin kundër Spezias.

Xhuliano Skuka zgjidh të ardhmen. Eksperienca te Partizani nuk ka mjaftuar për sulmuesin, me Metz që ka vendosur t’i gjej një tjetër strehë për sezonin e ri. 26-vjeçari do jetë pjesë e Penafiel në kategorinë e dytë të Portugalisë. Transferim që pritet t’i shërbejë si trampolinë për Skukën që synon të jetë sërish në mesin e lojtarëve të grumbulluar të kombëtares shqiptare.

Klan News