Drejtuesit më të lartë të vendit i kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes Laço, për humbjen e të dashurit të tyre, shkrimtarit Teodor Laço.

Në mesazhin e tij ngushëllues, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e quan Teodor Laçon, një shkrimtar të shquar dhe përfaqësues e letërsisë bashkëkohore shqiptare, që përveç përvijimit letrar, nuk u tregua indiferent ndaj zhvillimeve demokratike, duke u kthyer në një nga zërat kryesorë në jetën parlamentare.

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, shkruan se Teodori ishte pjesë e atij brezi shkrimtarësh që luftuan gjithë jetën e tyre për ndryshim dhe progres.

“I mençur dhe i urtë, vazhdon Meta, ai i huazoi politikës pak shkëlqim nga kultura e përhershme dhe politika i dha shkrimtarit kostumin e përkohshëm të shtetarit”.

“Largimi fizik i njerëzve me përmasa të tilla, shkruan Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shënon edhe fillimin e përjetësisë së tyre”.

“Ai do të kujtohet si një faktor i rëndësishëm në përhapjen dhe konsolidimin e pluralitetit të mendimit në proceset demokratike”, e mbyll mesazhin e tij Basha./ TV KLAN