Presidenti Ilir Meta është takuar mbrëmjen e kësaj të marte me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe një pjesë të Task-Forcës që është angazhuar në luftën kundër koronavirusit.

Mësohet se në takim, Meta ka theksuar domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, veçanërisht me qytetarët, si dhe përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, duke e konsideruar këtë hap si vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore.

“U interesova për gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të prekur nga koronavirusi, dhe shpreha falenderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që është duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.
Nënvizova rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe përshëndeta mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta”,
thuhet në një deklaratë të Presidentit.

Edhe Meta ftoi të gjithë qytetarët që për çdo shqetësim t’i drejtohen numrit 127 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë./tvklan.al