Milani mori fitoren e parë në Serinë A për këtë sezon, duke shkatërruar Venezia-n në shtëpi me rezultatin e thellë 4-0. Një sfidë që u zgjidh shumë shpejt, me katër golat që u shënuan brenda 28 minutave të para.

Theo Hernandez, zhbllokoi takimin në minutën e 2-të, ndërsa festivali i golave vazhdoi më pas me Fofana dhe Pulisic e Abraham që shënuan nga penalltia.

Pas ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseca, u shfaq i lumtur për triumfin, por theksoi se ka ende vend për përmirësim.

Sipas tij, ekipi duhet të jetë më i kujdesshëm, ndërsa shtoi se tani e presin dy ndeshje të mëdha, ndaj Liverpool dhe ndaj Interit.

“Është e rëndësishme të fitosh në futboll, për të pasur besim dhe për të përmirësuar gjendjen psikologjike. Mundohem të mos dëgjoj dhe të shikoj çfarë thuhet përreth. Duhet t’i menaxhojmë gjërat me qetësi dhe ekuilibër, gjë që e kemi bërë ndaj Venezia-s.

Gjithmonë kam zgjedhur më të mirën e ekipit dhe nëse një ditë mendoj se është më mirë të luajmë pa Leaon ose Theon, ata duhet ta kuptojnë, siç e kuptuan sepse mendoj se janë lojtarë të rëndësishëm. Për mua skuadra vjen përpara çdo gjëje tjetër dhe kjo vlen për të gjithë futbollistët.

Sigurisht që kemi ende për të përmirësuar. Pashë gjëra të mira, por edhe të këqija nga skuadra. Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të duruar për të bërë gjënë e duhur.

Tani kemi dy ndeshje të mëdha përpara, ndaj Liverpool në Champions dhe ndaj Interit në kampionat.

Leao nuk dëshironte të zëvendësohej, por e hoqa sepse kemi dy ndeshjet të rëndësishme përpara. Ia thashë edhe atij këtë, kur e zëvendësova.”, deklaroi Fonseca.

Me këtë fitore, Milani shkon në kuotën e 5 pikëve në kampionat dhe mban vendin e tetë. /tvklan.al