Një prej njerëzve më të pasur të Kazakistanit mohon të ketë kryer shkelje, pasi organizoi një festë në një superjaht që dyshohet se ndezi një zjarr në pyll, si pasojë e një spektakli fishekzjarresh. Daniyar Abulgazin është një prej 8 kazakëve që ndodheshin në bordin e anijes luksoze muajin e shkuar dhe që po hetohen për zjarrvënie në bashkëpunim, nga autoritetet greke.

Biznesmeni e mori me qira jahtin Persephoni dhe ndodhej në zonë kur zjarri shkrumboi rreth 300 hektarë të ishullit Hidra, në jug të Athinës

Greqia po përballet me valën e parë të ashpër të të nxehtit për 2024-n dhe zjarrfikësit po luftojnë me disa zjarre çdo ditë.

Fillimisht autoritetet akuzuan se fishekzjarret ishin lëshuar direkt nga jahti, por tani mediat greke raportojnë se ato mund të jenë hedhur nga një plazh i ishullit, pasi personat që ndodheshin në Persephoni shkuan me varkë në breg.

Rasti në fjalë ka ngjallur zemërim në Greqi, që u ndez edhe më shumë pasi u raportua se pasagjerët e jahtit u larguan nga vendi fare pak kohë pas zjarrit të 21 Qershorit.

Në një deklaratë, Abulgazin tha se e kishte marrë me qira Persephoni për një javë dhe se ishte larguar të nesërmen, siç kishte qenë plani që prej fillimit. Ai tha se kishte biseduar me “përfaqësues të autoriteteve greke, të cilët nuk kishin pasur asnjë pretendim kundër tij apo të ftuarve të tij në lidhje më incidentin”.  Biznesmeni shtoi më tej se ishte surprizuar kur kishte marrë vesh për akuzat.

Po ashtu ai tha se ishte tejet i keqardhur për zjarrin, por mohoi që ai apo të ftuarit e tij të kishin bërë ndonjë gjë që mund ta kishte shkaktuar. Abulgazin premtoi bashkëpunim të plotë me autoritetet greke në hetimin që ata po zhvillojnë.

Siç shkruan BBC, Kazakistani nuk ka marrëveshje ekstradimi me Greqinë, ndaj ka pak gjasa që personat në fjalët të shkojnë për t’u marrë në pyetje.

Kapiteni i jahtit dhe ndihmësi i tij vijojnë të jenë të ndaluar, ndërsa 15 anëtarët e tjerë të ekuipazhit, të cilët fillimisht u arrestuan, u lanë në liri me kusht.

Abulgazin është një figurë e rëndësishme në industrinë e naftës në Kazakistan, me një pasuri që përllogaritet të jetë në 400 milion euro./tvklan.al