Lajme Arkiva 2003

Bashkia e Tiranës nëpërmjet nënkryetares Mimi Kodheli ka hedhur poshtë deklaratat e kryetarit të komisionit paralmanetar anti-Rama, Sokol Olldashi. Në një deklaratë për shtyp nënkryetarja Kodheli ka argumentuar se fatet e paraqitura kundër bashkisë së Tiranës janë të pavërteta.

Mimi Kodheli: Së pari zoti Olldashi na tregoi mbrëmë një trotuar që mungonte duke iu referuar preventivit, pra parashikimit, por nuk na tregoi nëse ky trotuar që parashikohej në preventiv ishte paguar apo jo në fund të punimeve. Çka do të thotë se nëse duam të dimë se si është përdorur ky fond, duhet ti referohemi situacionit përfundimtar të këtyre punimeve, pra faktit dhe jo parashikimit. Konkretisht trotuari i munguar është hequr gjatë punimeve dhe fondi i parashikuar për të ka kaluar brenda një procedure ligjore për të plotësuar volume punimesh të paparashikuara dhe të domosdoshme për jetëgjatësinë e rrugës. Kjo është bërë pa arritur koston e parashikuar të projektit dhe duke marrë parasysh se trotuari në fjalë do të ishte më mirë të bëhej pasi të shembeshin ndërtimet pa leje në atë segment të Lanës, së cilës trotuari i përkiste.

Zonja Kodheli ka kundërshtuar gjithashtu edhe faktet për pemët  e mbjella dy vjet më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si edhe disa grafikë çmimesh për të cilat ka paraqitur para medias dokumente jo vetëm shkresore por edhe fotografike të Bashkisë së Tiranës./tvklan.al