Slavko Simiç i Listës Serbe: Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të.

Mimoza Kusari Lila: Në rregull.

Milan Radoiçiç: Alo, (vendase) zemlajke, a po njihemi?

Mimoza Kusari Lila: Po, po të dëgjoj.

Milan Radoiçiç: Si je? Si po kalon

Mimoza Kusari Lila: Ja në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi.

Të montuar e quan këtë bisedë të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari Lila me Milan Radoiçiç, e publikuar në Nacionale, kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai thotë se nuk e ka dëgjuar bisedën.

Kusari Lila besohet të ketë zhvilluar këtë bisedë telefonike në kohën kur Radoiçiç ishte në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe deputeti Armend Muja thotë të mos jetë i informuar për këto përgjime.

“Duke qenë se ne kemi qenë deri vonë këtu, unë nuk kam arrit me e pa dhe nuk e di se cilat janë të rejat por sidoqoftë në momentin kur ta shoh do ta bëjë një prononcim. Kemi qenë të angazhuar deri vonë dhe nuk e kam këtë informacion dhe nuk e kam, por çdoherë kur e shoh do e jap një prononcim për këtë”.

Ish-këshilltari i Presidentit Thaçi, Artan Behrami thotë se ky është një koordinim i Kryeministrit Kurti me Radoiçiç nëpërmjet Kusari Lilës.

Thotë se i kanë borxh një sqarim qytetarëve.

Kanë reaguar edhe partitë e tjera opozitare duke kërkuar dorëheqjen e saj si dhe kanë ftuar prokurorinë që të hetojë rastin pasi bëhet fjalë për një person i cili në atë kohë ishte në listën e zezë të SHBA-së.

Radoiçiç ishte udhëheqës i grupit kriminal në sulmin e Banjskës ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Tv Klan