Një rrëshqitje e pa pritur dheu i ka marrë jetën 2 personave dhe ka plagosur 5 të tjerë në një autostradë në Cosenza të Italisë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës ku një fugon me 7 pasagjerë  është mbuluar nga dheu dhe balta. Të shkaktuara nga një mot i keq, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu.

Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nxjerrë trupat nga balta. Të plagosurit janë dërguar në spital, një prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Reshje të dendura dhe stuhi të fuqishme kanë shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë Europën Jugperëndimore. Në Francë, qindra mijëra shtëpi nuk kanë akoma energji elektrike. Sipas të dhënave kjo gjendje mund të zgjasë deri në 5 ditë.

Numri i të vdekurve në Spanjë dhe në Francë ka arritur gjithsej në  21. Shërbimi sinoptik francez foli për një mot, më i keqi që në 10 vitet e fundit.

10 persona humbën jetën në Turqi dhe 3 të tjerë në Britaninë e Madhe. Si pasojë e një orteku që ra pa pritur në dy zona turistike. /tvklan.al