India do të hapë vitin e ardhshëm ambasadën e saj në Shqipëri. Këtë e bëri të ditur ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, gjatë një vizite që zhvilloi në Indi me ftesë të homologut të tij indian Pranab Mukherxhi.

Lulzim Basha: “Vizita vjen në kontekstin e hapjes së ambasadës së Shqiprisë në Indi. Dhe në këtë kontekst lajmi i mirë që mora nga ministri i punëve të jashtme të Indisë është se India brenda vitit që vjen do të hapë ambasadën e saj në republikën e Shqipërisë. Çka edhe njëherë dëshmon për përkushtimin e dy qeverive tona, për të rritur marrëdhëniet tona në një nivel të ri.”

Gjatë takimit të dy ministrave rëndësi iu kushtua edhe rritjes së bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën politike dhe ekonomike. Ministri i jashtëm indian u informua nga homologu i tij Basha mbi hapat që Shqipëria ka hedhur në drejtim të integrimeve euroatlantike dhe europiane.

Gjatë takimit, ministri Basha shprehu edhe njëherë ngushëllimet dhe ndjenjat e solidaritetit me qeverinë indiane dhe viktimat në sulmet terroriste në Bombei. Në fund të vizitës, Basha zhvilloi një vizitë edhe në memorialin e Nënë Terezës në Kalkuta, ku bëri homazhe para tij./tvklan.al