Marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Belgjikës ishin në qendër të takimit midis ministrit të punëve të jashtme Lulzim Basha dhe homologut belg Karel De Gucht. Zoti Basha e njohu ministrin e jashtëm të mbretërisë së Belgjikës me ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria, me rezultatet e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar, rezultatet në formën elektorale dhe në drejtësi si dhe në vendosmërinë e qeverisë Shqiptare për vazhdimësinë e mëtejshme të tyre.

Lulzim Basha: “Gjej rastin të përshëndes iniciativën e Belgjikës komunikuar edhe sot nga ministri De Gucht për hapjen e një zyre konsullore në vendin tonë, si dhe çështjen e tarifave për vizat për qytetarët shqiptarë, duke e konsideruar këtë një hap shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet midis vendeve tona.”

Në konferencën e përbashkët për shtyp ministri Basha tha se gjatë takimit u premtua dhe lehtësimi i vizave për studentët shqiptarë të cilët dëshirojnë të studiojnë në mbretërinë e Belgjikës. Ndërkohë që u bisedua mbi nënshkrimin e një marrëveshjes midis dy vendeve për sigurimet shoqërore, marrëveshje e cila shkon direkt në ndihmë të emigrantëve shqiptar që jetojnë e punojnë në Belgjikë.

Një pjesë të rëndësishme të takimit zunë edhe zhvillimet në rajonin tonë./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini