Brenda pak muajve parlamenti do të miratojë reformën në drejtësi dhe ligjin për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve. Garancia vjen nga kryeparlamentarja Topalli e cila ka bërë një analizë të përfundimeve të progres-raportit të KE për zhvillimin e Shqipërisë, e në mënyrë të veçantë të punës së parlamentit shqiptar gjatë këtij viti.

Jozefina Topalli: “Në muajt e ardhshëm reforma në drejtësi për çështjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve do të jetë fokusi real i punës dhe agjendës së Kuvendit, për këtë dialogu konstruktiv është gur prove si shprehje e maturisë e klasës politike e vullnetit të sinqertë.”

Duke pranuar ngërçin e krijuar mes institucionit të presidentit dhe Kuvendit për zgjedhjen e anëtarëve të GJL, Topalli ka sigluar se prioritet i punës së saj do të jetë gjetja e konsensusit politik. Për kalimin e të gjitha ligjeve e në mënyrë të veçantë atyre që janë pjesë e reformave që kërkohen për integrimin euroatlantik të vendit.

Jozefina Topalli: “Raporti konstaton qartësisht progresin e reformës zgjedhore. Por ne edhe njëherë sigurojmë se jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të bëjmë zgjedhjet më të mira, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sfida kryesore, kodi elektoral është prioriteti jonë, është vëmendja jonë dhe ju garantoj se do të mbyllet shumë shpejt.”

E në këtë kontekst Topalli beson së do të gjendet një konsensus edhe me partitë e vogla të cilat kontestojnë kodin e ri elektoral./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka