Viktima, i skeduar si përdorues lëndësh narkotike

Kjo është banesa ku 8 ditë nga regjistrimi si person i zhdukur nga policia e Vlorës, u gjet i vrarë më armë zjarri Altin Alikaj.

46-vjeçari u raportua i humbur në datën 11 Shkurt nga të afërm të tij, ndërsa mëngjesin e kësaj të shtune, u gjet i pajetë nga nëna e tij që kishte udhëtuar nga Greqia pas lajmeve për zhdukjen e të birit

Policia tha zyrtarisht se Alikaj dyshohet të jetë vrarë me armë zjarri duke u nisur nga plagët e marra në trup, ndërkohë vijojnë ekzaminimet e mëtejshme pasi ai ka edhe një plagë në kokë me sende të forta.

Në banesë është gjetur edhe një sëpatë e gjakosur. Dyshohet se autorët kanë helmuar edhe qentë e fqinjëve ndërsa automati i dritave në banesë është gjetur i ulur duke krijuar përshtypjen se brenda nuk kishte njeri. 

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta edhe për grupin hetimor, i cili gjatë paradites së të shtunës këqyri vendin e ngjarjes me shpresën e sigurimit të ndonjë prove që do dërgohet për akt-ekspertim.

Nga ana tjetër burime nga Policia thanë për Tv Klan se 46-vjeçari ishte person i skeduar si përdorues i lëndëve narkotike, kryesisht të heroinës.

Tv Klan