Lajme Arkiva 2004

Mitingu i 2 Prillit që do të organizohet në qytetin e Shkodrës si stacioni i radhës në lëvizjen “Nano ik” ka ngjallur reagime te forcat politike të këtij qyteti, kjo për faktin se protesta e Partisë Demokratike përkon me masakrën e 13 viteve më parë ku u vranë disa persona.

Për socialistët shkodran është gabim që PD-ja  do të përdorë tragjedinë e 2 Prillit për kapital politik.

“Ngjarjet e 2 prillit në Shkodër kanë qenë mjaft  të dhimbshme sidomos për familjet që humbën bijtë e tyre, por edhe për ne të gjithë Shkodranët. Por është për të ardhur keq që këto ngjarje të dhimbshme dhe ngjarje të tilla të cilat ndodhin kudo përpiqet që opozita, e në veçanti Sali Berisha ti përdorë për kapital politik”.

Ndërsa ndryshe mendojnë demokratët:

“Kjo qeverisje në qytetin e Shkodrës ka krijuar një situatë jashtëzakonisht të vështirë në nivel ekonomik, të ardhurat për frymë për çdo familje janë reduktuar gjë që ka krijuar një klimë aspak të favorshme për zhvillimin në jetën normale. Kësaj i shtohet edhe mungesa e energjisë elektrike dhe një strategji djallëzore e ideuar nga personi që do të thoja nuk i plotëson as parametrat për tu quajtur njeri Harasani. I cili në mënyrën më të papërgjegjshme dhe më të paskrupullt po e trajton qyteti e Shkodrës në mënyrë aspak dinjitoze. Unë i ftoj të gjithë qytetarët e Shkodrës të marrin pjesë nesër në protestën që organizohet përpara sheshit, për ti thënë jo qeverisë së papërgjegjshme të Fatos Nanos”./tvklan.al