Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Reshjet e rënë ditët e fundit kanë sjellë jo vetëm anomali në trafik, por kanë përmbytur dhe disa lagje në qytete të ndryshme të vendit. Kanali që përshkon lagjen “Kushtrimi” në qytetin e Vlorës, ka dalë nga shtrati katër herë brenda dy ditëve të fundit dhe uji i grumbulluar në të ka hyrë në dhjetëra familje të kësaj lagje.

Kanali ka qenë për ujërat e bardha, por pas vitit 90, aty grumbullohen edhe ujërat e zeza. Vitet e fundit familjet e kësaj lagjeje pothuaj gjithë dimrin e kalojnë duke i bërë pritë ujërave. Banorët ankohen se sipas tyre deri tani pushteti lokal nuk ka marrë asnjë masë.

Ndërkohë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, qarkullimi është ndërprerë disa herë në vendin e quajtur Murrash. Rrëshqitja e dheut në vendet ku po punohet ka shkaktuar vonesë disa orë në trafik. Edhe pse gjatë gjithë natës makineritë e firmës Mapa kanë punuar, trafiku nuk është normalizuar. Në këtë aks nuk kanë munguar as aksidentet, megjithëse pa probleme për jetën e njerëzve./tvklan.al