Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Bllokohet përkohësisht aksi rrugor Tiranë-Elbasan. Disa ditë pas rrëshqitjes së tokës në kilometrin e 27 të rrugës Tiranë-Elbasan në afërsi të Qafë Krrabës, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ka vendosur të bllokojë këtë aks rrugor. Të gjitha automjetet që do të udhëtojnë drejt Elbasanit, të paktën për dy javë do të lëvizin në drejtimin Tiranë- Durrës-Rrogozhinë.

“Për arsye sigurie, sepse meqenëse deri dje ajo vazhdonte të çedonte dhe të ulej, duke pasur parasysh që ne kemi dhe një aks tjetër që nuk e shkëput Elbasanin nga Tirana, sepse kemi dhënë orientimin në bashkëpunim dhe me policinë e qarkullimit rrugor, që mjetet devijohen në aksin Tiranë-Durrës-Rrogozhinë-Elbasan, deri në momentin që ne të bëjmë të mundur zgjidhjen e një varianti provizor. Ajo mund të zgjasë me javë, mund të them një apo dy javë, ndoshta deri në marrjen e një forme përfundimtare”.

Ndërkaq situata e rrugëve pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit vazhdon të mbetet problematike. Reshjet e borës kanë bllokuar disa akse të rrugëve nacionale dhe rurale në veri të vendit, si dhe kanë vështirësuar qarkullimi në jug.

Sipas informacioneve të Ministrisë së rendit, rruga nacionale Tiranë-Kukës është bllokuar në aksin Fushë Arrëz-Kukës. Në Qafë Mali trashësia e dëborës ka arritur deri gjysmë metri dhe kalimi i automjeteve është i pamundur. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme dhe në rrugët Fushë Arrëz-Shkodër dhe Fushë Arrëz-Mirditë. Të izoluara nga dëbora kanë mbetur dhe Iballa, Fierza dhe Vermoshi.

Në Qarkun e Dibrës janë bllokuar rrugët Peshkopi-Kalaja e Dodës dhe Peshkopi-Lurë. Ndërsa aksi rrugor Bulqizë-Peshkopi, kalohet me vështirësi. Reshje bore ka pasur dhe në qarkun e Vlorës, ku Qafa e Llogorasë rezulton me mjaft probleme dhe për këtë arsye nuk mund të kalohet pa zinxhirë./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka