Zyrtarizmi i aplikimit te Shqipërisë si vend kandidat ne BE, shënon piken kulmore te një muaji të mbushur me deklarime te partnereve ndërkombëtare ne mbështetje të perspektivës evropiane te vendit.

Data 1 Prill ishte konfirmim i qartë i saj, me hyrjen ne fuqi të MSA me Bashkimin Evropian që për vendin shënoi hapjen e një perspektive të re.

Sali Berisha: “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian hynë në një erë të re. Institucionet e këtij vendi që me reformat e ndërmarra të bindin dhe të meritojnë votëbesimin e 27 vendeve anëtare. Tani me hyrjen e kësaj marrëveshje në fuqi do t’u dëshmojë seriozitetin më të madh në implementimin e përpiktë të të gjitha klauzolave të saj.”

 Pasditen e 1 Prillit ne Uashington,  Shqipëria zyrtarizon marrëdhënien e saj me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Pas tre ditësh ne samitin e NATO-s, që përkoi me 60-vjetorin e krijimit, Shqipëria do te ulej si anëtare me të drejta të plota e aleancës. 

Mbërritja deri këtu do te ishte shpërblimi për reformat e qeverisë, gjë që u konfirmua qartë  në fjalimet e sekretarit të përgjithshëm, Scheffer, si dhe presidentit amerikan, Obama.

Barack Obama:“Mirë se vini në NATO! Është e rëndësishme për të theksuar se Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë shumë gjëra të mëdha e domethënëse në emër të Aleancës. Urime për progresin dhe reformat e kryera që ju sollën në këtë pikë. Të dy vendet kanë arritur shumë. Vazhdimi në këtë rrugë do ju sjellë më afër në rrugën e integrimit euroatlantik.”

Jaap de Hoop Scheffer: “Kryeministrat Berisha dhe Sanader, anëtarësimi i vendeve tuaja në aleancë është një rezultat i një pune disavjeçare të vështirë, gjatë të cilave keni treguar përkushtimin për të përfunduar reformat e domosdoshme. Shqipëri dhe Kroaci ju e keni merituar më së miri vendin tuaj në këtë tryezë dhe jeni të mirëpritur mes nesh.”

Madje Obama do të përshëndeste serish angazhimin e qeverise për reforma gjatë një konference për shtyp.

Barack Obama: “Jemi shumë krenarë për Shqipërinë dhe Kroacinë. Ato kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të bërë realitet këtë ditë dhe ne jemi mirënjohës.”

Për autoritet shqiptare kishte ardhur momenti qe vendi te hidhte një tjetër hap te rëndësishëm po aq historik. 

Aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, do të kishte aprovimin e kancelarive ndërkombëtare sikundër dhe presidencës se radhës se unionit, Republikës Çeke.

Ish-zv/presidenti i komisionit evropian ne detyrën e Ministrit te Jashtëm Italian, Franko Frattini, do të theksonte rëndësinë e aplikimit te Shqipërisë nisur nga detyrimet e përmbushura te qeverise shqiptare që garantonin hedhjen e këtij hapi.

Franko Frattini: “Mendoj se do të jetë e rëndësishme të vlerësohet kërkesa e Shqipërisë pasi ajo ta paraqesë atë sepse s’është paraqitur ende formalisht, por kërkesa duhet të përparojë. Mendoj se është e drejtë të bëhet. Ne nuk kemi standarde të dyfishta, por s’mund të bllokohet një kërkesë për aderim.”

Ne datën 24 Prill këtë herë në kryeqytetin francez, qeveria merr një tjetër mbështetje të fortë për te aplikuar.

Bernard Koushner, Ministër i Jashtëm francez do të garantonte kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen pa rezerva të vendit të tij.

Bernard Kouchner: “Po! Cilado qoftë data, cilido qoftë kalendari i adaptuar me mençuri nga kryeministri, mbështetja e Francës është e sigurt.”/tvklan.al