Lefter Cenaj do të vuajë dënimin në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.

Ekstradimi nga Greqia pak ditë më parë i ish-bosit të firmës Cenaj ka dështuar disa herë duke mbetur peng i gjykatës greke. Më në fund ai do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit më qelitë shqiptare.

Zyrtarë të drejtorisë së përgjithshme të burgjeve saktësuan për Klan se për të pandehurin Lefter Cenaj Gjykata e Tiranës është shprehur me vendim të formës së prerë në vitin 2003.

Ky vendim është dorëzuar për ekzekutim drejtorisë së përgjithshme të burgjeve, e cila brenda 24 orëve do të caktojë vendin e vuajtjes së dënimit.

Cenaj ka marrë dhe një vendim nga drejtësia greke dhe për akuzën e pastrimit të parave është dënuar me pesë vjet e gjysmë burg.

Në të njëjtën kohë ndaj tij në Shqipëri kishte nisur gjykimi për akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit të kreditorëve.

Avokati mbrojtës deklaron se vitet që Cenaj ka kryer si dënim në Greqi përkojnë me pjesën e dënimit që i mbetet të kryejë në Shqipëri.

Po për të njëjtën vepër penale sipas tij një shtetas nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën akuzë, por ekstradimi i Cenajt ka hapur një tjetër debat me drejtësinë shqiptare, atë të kthimit të miliona lekëve që janë përvetësuar me mbylljen e firmës rentiere, Cenaj.

Paratë e kreditorëve që u mashtruan nga ish-bosi ndodhen në Greqi dhe për riatdhesimin e tyre duhet të përgjigjet drejtësia helene./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani