Afro 4 muaj pas një ishemie cerebrale në tru, ish-Ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga ndërroi jetë këtë të hënë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë në moshën 69-vjeçare. Megjithë mjekimin e specializuar në Turqi, gjendja e tij, ndonëse e stabilizuar nuk ishte rikthyer në atë optimalen. Për kurimin e tij qeveria akordoi dhe një fond prej 1.9 milionë lekësh, por problemet shëndetësore vijuan edhe pas ardhjes në Shqipëri.

Hajdaraga lë pas një karrierë të pasur akademike dhe politike. Ai ishte nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare pas viteve ’90. Me ardhjen e pluralizmit u angazhua me Partinë Socialiste duke arritur të bëhet nënkryetar i saj. Për disa legjislatura shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa drejtoi ministrinë e Mbrojtjes në vitin 1998-2000, një periudhë delikate që lidhej me luftën në Kosovë dhe menaxhimin e krizës.

Pas viteve 2000 u tërhoq nga politike aktive, duke dhënë kontributin e tij si pedagog Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Njohës i mirë i çështjeve të aktualitetit dhe politikës, Hajdaraga ka qenë aktiv në debatet televizive, ku ka shprehur qëndrimet për zhvillimet në Shqipëri dhe ato në arenën ndërkombëtare.

Tv Klan