Në qytetin e Peshkopisë ka nisur puna për rikualifikimin urban të bulevardit kryesor. Zv.kryeministrja, Belinda Balluku, pa nga afër punimet e para në këtë kantier duke thënë se ky projekt i shtohet listës së gjatë të investimeve që janë realizuar në këtë zonë.

“Kudo punohet, në të katërta bashkitë në Bulqizë, Klos, Peshkopi dhe sigurisht në Mat. Duhet thënë që dhe vetë kryetarët e bashkive kanë ndërmarrë një sërë iniciativash dhe projektesh që kanë të bëjnë me rikonstruksione të thella të shkollave, të kopshteve, spitaleve, por nga ana tjetër edhe të një sërë rrugëve të cilat sot janë rrugë turistike”.

Balluku foli edhe për investimet e Rrugës së Arbrit, e cila do ta afrojë edhe më shumë Dibrën me Tiranën.

“Dibra si qark është një kantier i madh. Ne kemi në proces në këto momente për të dorëzuar deri në fund të vitit, me shpresë sigurisht, sepse aty ka qene gjithmonë sfiduese situata, tunelin e Murrizit, i cili do të shkurtojë akoma më shumë rrugën për të arritur në destiancionin final që është Peshkopia, Dibra në terësi. Nga ana tjetër edhe ecuria e punimeve që kemi në lotin Maqellarë-Peshkopi, që është një nga problemet më të mëdha që kemi pasur për të zgjidhur, por që tashmë i kemi dhënë zgjidhje dhe unë shpresoj që para pranverës të vitit 2025, domethënë diku nga marsi, ne do të jemi në gjendje që ta dorëzojmë përfundimisht edhe pjesën e fundit të Rrugës së Arbrit. Së bashku me tunelin përfundojmë një nga veprat më komplekse infrastrukturore që kemi pasur”.

Afati për përfundimin e këtij projekti është 12 muaj, ndërsa synohet që vepra të jetë gati në nisje të sezonit të ardhshëm turistik, ndërkohë që projekti parashikon edhe  rikonstruksionin e fasadave përgjatë bulevardit.

Klan News