Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas fjalës së kryeministrit Fatos Nano në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues në PS, i cili lëshoi akuza në adresë të deputetëve të LSI, reagon një nga anëtarët e kryesisë të kësaj lëvizje Ndre Legisi. Produkti i fjalës së Nanos ishte zero, shprehet Legisi, pasi nuk u mor me bilancin e punës së qeverisë.

Ndre Legisi: “Kjo nuk na befason ne, pasi strukturat e PS në qendër dhe në bazë, mblidhen çdo ditë, si duket për të bërë apelin, se sa veta ju mungojnë dhe vuna re, që në mbledhjen e KPD-së vendet bosh ishin plotësuar nga stafi i ngushtë i kryeministrit me këshilltarë dhe bodigardë.”

Legisi shprehet mosbesues ndaj reformës së brendshme të PS, pasi politika që ajo ndjek është e pandryshueshme, duke përsëritur vetveten.

Ndre Legisi: “Megjithëse ka një grup të rinjsh, që synojnë të reformojnë PS, duke mbajt fortë në krah bustin e Fatos Nanos. Ne urojmë që PS të ndryshojë, por siç po shikojmë, politika dhe strategjia e zotit Nano është të shtyjë javë dhe ditë me qëllim që të përmbush mandatin e vet.”

Kuvendimi i madh sipas Legisit, duhet të nisë në bazë dhe jo duke sulmuar sekretarët e partisë.

Ndre Legisi: “As reformimi dhe as kuvendimi i madh nuk bëhet duke frekuentuar kazinotë e Europës. As reformimi nuk bëhet duke vënë para përgjegjësisë zotin Lakrori dhe zotin Agasi, që janë dy figura të ndershme të asaj partie. Njërin e akuzojnë pse nuk ka ditë të emërojë PS dhe Fatos Nanon brenda vendit, ndërsa tjetrin e akuzojnë pse s’ka ditë të mbrojë PS dhe Fatos Nanon tek ndërkombëtarët. Kuvendimi i madh bëhet në bazë, atje ku ne kemi disa kohë si LSI, që shkojmë kuvendojmë dhe në çdo ditë ne bëjmë nga 2-3 takime masive me bazën e partisë.”

Legisi i tërheq vëmendjen kryeministrit të marrë informacione të sakta, se në kryeqytet LSI ka më shumë se 30 këshilltarë./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari