Reforma në fushën e inspektimeve dhe përmirësimi i klimës së biznesi është fokusi i projektligjit të propozuar nga qeveria, përmes të cilit synohet forcimi i transparencës dhe llogaridhënies për interes publik.

Sipas draftit, është parashikuar që trupa e inspektoratit të ulë në 20% numrin e inspektimeve në një vit kalendarik dhe të përfshijë në kontrolle njësitë e vetëqeverisjes vendore.

“Duke përfshirë njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e inspektimit, projektligji synon të decentralizojë autoritetin dhe të forcojë pavarësinë lokale. Nëpërmjet sistemit elektronik “e-Inspektimi”, ky projektligj ndihmon në rritjen e transparencës, ndërkohë që koha e lajmërimit për subjektet rritet nga 3 në 10 ditë para”.

Referuar relacionit, ulja e numrit të inspektimeve në biznese do të sjellë edhe uljen e barrës administrative. Nisma synon gjithashtu të rregullojë edhe procedurat e ankimimit.

“Ankimi i subjektit të inspektimit nuk do të shqyrtohet nga trupa kolegjiale të ngritura pranë organeve inspektuese, duke shmangur konfliktin e interesit. Inspektorati i Përgjithshëm do të garantojë shqyrtimin e ankimeve në formë transparente, bazuar në prova dhe fakte. Për rrjedhojë, pritet që të ulet numri i subjekteve të inspektimit që i drejtohen gjykatës administrative.”

Sektorët që do të preken nga trupa e inspektimit lidhen me sigurinë ushqimore, pastërtinë në mjedis, kushtet e punës si dhe veprimtaria në sektorë si energjia e transporti.

Tv Klan