Për të gjitha inspektimet e sigurisë ushqimore, pastërtisë në mjedis, kushteve të punës apo veprimtarisë në sektorë si energjia e transporti do të këtë një ligj të ri për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien.

I hedhur tashmë për konsultim publik, ligji synon një riorganizim të trupës inspektuese risi e së cilës do të jetë edhe përdorimi i teknologjisë.

“Është vërejtur një numër i lartë i inspektimeve dhe i inspektimeve të paplanifikuara (rreth 40% e masës së inspektimeve totale), të cilat sjellin një barrë dhe kosto të konsiderueshme për biznesin. Nëpërmjet ndërveprimit të sistemeve online raportimi do të kryhet shpejtë duke ulur kohën e inspektimit dhe kostot për bizneset dhe administratën publike. Gjithashtu parashikohet krijimi i historikut të inspektimeve, numri i së cilave do të ulet me 40%”, u shpreh ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, inspektimi do të kalojë fillimisht në fazën e këshillimit duke shmangur masat administrative me gjobë.

“Ndryshimet sjellin përfitime ekonomike për bizneset, përfshin krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e konkurrencës së ndershme, garantimin e rregullave të njëjta në treg, rritjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e ekonomisë”.

Për të realizuar këto funksione propozimi parashikon nevojën shtesë prej 60 punonjës, për të cilët nuk llogariten efekte financiare.

Tv Klan