Në Pallatin e Kongreseve zhvillohet sot takimi i Rrjetit Parlamentar “Gratë të Lira nga Dhuna” dhe i Komisionit për Barazi dhe Mos-Diskriminim i Këshillit të Europës, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me AP të KiE.

E pranishme në këtë aktivitet është edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila është shprehur se hendeku gjinor në vendimmarrjet dhe diskutimet e Këshillave Bashkiakë është i lartë dhe për këtë ka përmendur disa shifra referuar një studimi.

Lindita Nikolla: Nga në studim i publikuar pak ditë më parë nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, i cili i referohet pjesëmarrjes së grave si anëtare të Këshillave Bashkiakë, edhe pse gratë përbëjnë rreth 43% të anëtarëve të Këshillave Bashkiakë, fuqia qeverisëse e tyre është shumë më e vogël krahasuar me burrat. Studimi tregon se hendeku gjinor në vendimmmarrjet dhe diskutimet e Këshillave Bashkiakë është i lartë. Burrat e marrin fjalën mbi 3 herë më shumë se gratë, ndërkohë që këtyre të fundit ju ndërpritet fjala në 22%, ndërsa burrave në 8% të diskutimeve.

Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja Nikolla ka vlerësuar lidershipin e kryeministrit Rama për treguesit pozitiv për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në jetën politike të vendit.

Lindita Nikolla: Ne në Shqipëri kemi mjaft tregues të kënaqshëm për pjesëmarrjen e vajzave në shkollim në të gjitha nivelet e arsimimit. Kemi tregues mjaft pozitiv të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike dhe këtu do të doja të vlerësoja lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili në 70% të Këshillit të Ministrave ka zgjedhur të përfaqësohen nga gra dhe vajza. Gra dhe vajza janë 36% të anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë aktivitet merr pjesë gjithashtu Raporterja e Përgjithshme e AP të KiE kundër Dhunës ndaj Grave, Etilda Gjonaj, anëtarë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues nga AP e KiE dhe shoqëria civile./tvklan.al